Ibrahim Krosi

Ibrahim Krosi  (1942-2012)

ibrahim krosiVeterani i arsimit Dervenas, Ibrahim Xhemshit Krosi, në fillim si mësues, mandej arsimtar dhe profesor i gjuhës dhe letërsisë shqipe, e më pas edhe si Doktor i lëndës, ka punuar në fshatin e vet të lindjes Rashçe, me vullnet e përkushtim të veçantë, jo vetëm gjatë orëve të mësimit, por edhe jashta tyre, me çka ka ngjallur dashurin për gjuhën shqipe, sidomos me nxënësit e talentuar, nëpërmjet orëve të mësimit shtues, seksioneve letrare, për të nxitur veprimtarinë krijuese të nxënësve.

U lind më 10.01.1942 në fshatin Rashçe të Shkupit. Rrjedh nga një familje me traditë arsimore. Shkollën e plotë fillore e mbaroi në fshatin e lindjes, ndërsa Normalen në Shkup, në vitin 1962.

Punën me nxënës e filloi në vitin shkollor 1962/63 si mësues në shkollën e fshatit të vet, në fillim në mësimin klasor e më pastaj për arsye të mungesës së kuadrit përkatës, punoi edhe në mësimin lëndor.

Shkollën e lartë pedagogjike e mbaroi në Shkup, në vitin 1968, grupin Gjuhë dhe Letërsi Shqipe, pas çka punoi në fshatin e lindjes.

Një mandat ishte drejtor i Shkollës Qëndrore Drita, në Rashçe asokohe shkollë qëndrore me shkollat periferike: Kopanicë, Sullare e Poshtme dhe Sullare e Epërme. Në këtë kohë udhëhoqi edhe shkollat e natës për të ritur në fshatrat e përmendur.

Fakultetin Filozofik në Shkup, degën Gjuhë dhe Letërsi Shqipe e mbaroi në vitin 1975.

Studimet interpasuniverzitare, grupin e Historisë dhe Letërsisë e mbaroi në Dubrovnik, ndërkaq magjistroi në Zagreb në vitin 1983 në temën: Lirika popullore shqipe në Maqedoni, me  çka merr titullin Magjistër i Historisë dhe Teorisë së Historisë.

Doktoroi në Univerzitetin Shën Kirili dhe Metodi në Shkup, në temën e disertacionit Baladat shqiptare dhe maqedonase dhe merr titullin shkencor DOKTOR I SHKENCAVE FILOLOGJIKE.

Që nga viti 1970 është bashkëpunëtor i jashtëm i institutit Marko Cepenkov dhe anëtar i SHFM-ës. Ka marrë pjesë në shumë tubime shkencore, simpoziume e kongrese në vend dhe jasht në të cilat punimet e tija janë vlerësuar dhe botuar në disa gjuhë.

Ibrahim Krosi ka publikuar mbi 350 kumtesa, recensione, udhëpërshkrime, fejtone me karakter historik letrar etj.

 

Komento

komente

Po Karikohet…